Home -- Albanian -- Perform a PLAY -- 076 (Three lies in one night)
76. Tre gënjeshtra në një natë
Pjetri: "Jo, nuk është e vërtetë! Nuk do ta bëja kurrë."
Ndonjëherë Pjetri reagonte më shumë se ç’duhej, por besoj se ai me të vërtetë donte të thoshte atë që tha.
Pjetri: "Nuk do të më ndodhë kurrë një gjë e tillë."
A keni menduar dhe ju ndonjëherë kështu? Pjetri ishte aq i sigurt, në atë kohë natën kur ecte me Jezusin dhe dishepujt e tjerë. Ishte errësirë dhe çdo gjë dukej e zymtë, kur Jezusi papritmas ndaloi së ecuri dhe u foli atyre.
Jezusi: "Këtë natë të gjithë do të largoheni nga unë dhe do të më braktisni."
Pjetri: "Kurrë. Dhe edhe sikur të gjithë të tjerët të të braktisin, nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë."
Jezusi i njeh zemrat tona.
Jezusi: "Pjetër, të njoh unë ty. Para se të këndojë gjeli, do të thuash tri herë se nuk më ke njohur kurrë."
Pjetri: "Zoti Jezus, kurrë mos qoftë; më mirë të vdes se sa të të mohoj ty."
Të njëjtën gjë thanë edhe dishepujt e tjerë. Por Jezusi e dinte mire se çfarë do të ndodhte.
Menjëherë pas kësaj, kur Jezusi u kap dhe u mor nga armiqtë e tij, të gjithë dishepujt e tij e braktisën. Edhe Pjetri kishte frikë. Por në një distancë të largët, ai e ndoqi Jezusin, sepse donte të shihte se çfarë do të bënin me të.
Pjetri: "Ku po e çojnë? Tek pallati i Kryepriftit? Po unë? Më mirë të mos tërheq vëmendjen që të mos më arrestojnë edhe mua."
Pjetri u ul pranë armiqve të Zotit të tij. Me to u ngroh pranë zjarrit të oborrit. A ishte ky vendi i duhur për të qendruar? Një mik i Jezusit me ata që e urrenin Jezusin?
Shërbëtorja e parë: "Hej ti, më dukesh fytyrë e njohur. A nuk ke qënë dhe ti me Jezusin?"
Pjetri: "Unë? Nga të erdhi kjo ide? Nuk e kam idenë se për çfarë po flet."
Shërbëtorja e dytë: "Shikoni, ai ishte me Jezusin."
Pjetri: "Nuk është e vërtetë. Nuk e njoh fare atë njeri."
Shërbëtori: "Çdo njeri e dallon lehtë. Sigurisht që ke qënë me Jezusin. Të tradhëton e folura."
Pjetri: "Mjaft me këto budalliqe. Po ju them që, nuk e njoh Jezusin." (gjeli duke kënduar)
I tronditur, Pjetri shikoi përreth. Në atë moment Jezusi u çua larg. Ndërsa kalonte pranë, ai pa Pjetrin me trishtim. Ky vështrim depërtoi thellë në zemrën e Pjetrit. Dhe Pjetrit iu kujtua ajo që Jezusi kishte thënë vetëm disa orë më parë.
Pjetri e la në baltë Jezusin. Dhe atij i erdhi shumë keq. Doli me vrap dhe qau me hidhërim. A e dinte ai se Jezusi e donte atë pavarësisht asaj që ndodhi?
Folësit: Autori, Pjetri, Jezusi, dy shërbëtoret, shërbëtori
© E drejta e autorit: CEF Gjermani